Itali, votohet për të ardhmen e sistemit gjyqësor/ Referendumi për Reformën në Drejtësi, test për Giorgia Melonin

Italianët iu drejtuan këtë të diel kutive të votimit në një referendum të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit gjyqësor, një nismë e propozuar nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Ky votim shihet si një provë kyçe për qeverinë e saj, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Qytetarët po vendosin nëse do të miratojnë ndryshimet kushtetuese që parashikojnë ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ndarjen e organit vetëqeverisës të drejtësisë në dy struktura të veçanta. Kjo çështje ka qenë prej kohësh burim debatesh të forta në politikën italiane.

Referendumi vjen pas një fushate të nxehtë politike. Kampi “po”, i udhëhequr nga qeveria, përballet me kundërshtimin e fortë të opozitës së qendrës së majtë, përfshirë Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yje.

Opozita paralajmëron se reforma mund të minojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të rrisë ndikimin politik mbi drejtësinë. Sipas tyre, ndryshimet mund t’i japin më shumë kontroll qeverisë mbi sistemin gjyqësor.

Nga ana tjetër, qeveria i hedh poshtë këto akuza, duke argumentuar se reforma është e nevojshme për të luftuar politizimin brenda sistemit dhe për të shmangur skandalet që kanë shoqëruar emërimet e prokurorëve të lartë.

Analistët vlerësojnë se një fitore e kampit “po” do t’i japë një shtysë të fortë politike Giorgia Melonit, ndërsa një rezultat në favor të “jo”-së do të forconte opozitën dhe përpjekjet e saj për të krijuar një front të bashkuar kundër qeverisë.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri të hënën pasdite, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit në muajt në vijim.

Leave a comment